Pendimi i Fudajl ibën IJADIT


Pendimi i Fudajl ibën IJADIT

 

Tregim dhe shembull i shkëlqyer…i një personaliteti të rrallë

Ebu Vehb Muhammed ibën Muzahim thotë: E kam dëgjuar Abdullah ibën Mubarekun duke thënë: Njeriu më i devotshëm që e kam parë ishte AbdulAzizi biri i Ebu Ruvadit, njeriu më i përmbajtur Fudajl ibën Ijadi, njeriu më i ditur Sufjan Theuriu dhe fekihu (juristi) më i madh Ebu Hanifeja, Allahu i mëshiroftë të gjithë.

Ibën Mubareku thotë: Për shkak të pendimit të sinqertë Allahu e frymëzoi me urtësi që si perla dilnin prej gojës së tij.

Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, para se të bëhet mysliman, ishte kusar, një bandit që plaçkiste njerëzit të cilët i sulmonte në rrugë. Nga frika e madhe, shumica e karvanëve mënjanonin rrugët nëse mendonin se në ato do të hasin në bandën e Fudajlit.

 

Një natë, Fudajli vendosi të shkon në fshat për ta parë gruan në të cilën ishte dashuruar. Duke u ngjitur në murrin e oborrit dëgjoi zërin e njeriut që lexonte Kur’an. Ajeti të cilin e dëgjoi ishte

A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë, e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.” (Hadid, 16)

Ajeti që e dëgjoi, preki thellë Fudajlin, i cili e ndërpreu atë të cilën ishte duke e bërë në atë moment, u largua dhe u fsheh në një vend në të cilin e kaloi natën duke u penduar.

Më vonë, natën, dëgjoi disa udhëtarë duke e këshilluar njëri tjetrin: Kujdes. Fudajlin e keni para në pritë me kusarët e tij. Pasi që i dëgjoi këto fjalë, doli dhe tha: Mos keni frikë, Fudajli është penduar, dhe u premtoi siguri gjatë udhëtimit.

 

Pas kësaj ndodhie Fudajli filloi udhën e kërkimit të diturisë dhe u bë dijetar i madh që përhapte dritën e udhëzimit. Nga tregimi i pendimit të Fudajlit përfitojmë shumë mësime. Fakti se është ndalur për ta dëgjuar ajetin e Kur’anit dhe pas dëgjimit të tij ka vendosur të kthehet tek Allahu, flet qartë për ndikimin e Kur’anit fisnik, i cili hap zemrën dhe ndriçon rrugën drejt pendimit.

 

Kuptimi themelor i pendimit është kërkimi i strehimit te Allahu për mëkatet që i kemi bërë, të vendosim që të njëjtat mos t’i përsërisim dhe ta lusim Allahun për mbështetje dhe udhëzim që premtimin e dhënë ta mbajmë.

 

Fjala pendim (teube) në gjuhën arabe e ka kuptimin e kthimit. Në tregimin e Fudajlit shohim se ai e ka ndërprerë plaçkitjen e udhëtarëve po në atë natë në të cilën është penduar. Ne shohim se shumë njerëz tregojnë shenja të dobësisë dhe kthehen në mëkatet që i kane bërë më parë. Megjithatë, Allahu e shpreh mëshirën e Tij ndaj robit duke thënë:

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues! Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuluni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.” (Zumer, 53-54)

 

Nga ky ajet shohim se mëshira e Allahut nuk është e veçantë për besimtarët e devotshëm. Allahu është i mëshirshëm edhe ndaj atyre që e kanë humbur rrugën dhe kanë devijuar. Kushti i kësaj mëshire është që ata të kthehen tek Allahu me pendim duke qenë të përkushtuar në adhurim.

Allahu, subhanehu ve te’ala, thotë: “Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.” (En Nisa, 18)

 

Për këtë shkak në duhet t’i ndërpremë mëkatet dhe të kërkojmë falje prej Allahut para se të bëhet vonë. Duhet të mundohemi të jemi si Fudajli i cili dëgjoi ajetin dhe u pendua po në atë moment.

Shoqëria bashkëkohore në të cilën jetojmë është shumë e hapur, në të “kalon” çdo gjë. Përkufizimet e të mirës dhe të keqes janë bërë fjalë të pakuptimta. Në një shoqëri të tillë kufiri i vetëm që njeriu e vendos është kufiri i ndërgjegjes.

 

Për rëndësinë e pendimit flasin qartë edhe lutjet e shumta, të cilët na i ka mësuar i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Lutje e tillë është Sejjidul Istigfar-i (E zgjedhura e lutjeve për pendim) në të cilën thuhet:

“O Allah, ti je Zoti im. Nuk ka të adhuruar me meritë përpos Teje. Me ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Aq sa kam mundësi do të mundohem të jam besnik në marrëveshjen dhe premtimin që e kam dhënë. Kërkoj strehim te Ti nga të këqijat që i kam bërë dhe jam mirënjohës për të mirat që m’i ke dhënë. I pranoj mëkatet e Mia. M’i fal mëkatet sepse askush përpos Teje nuk i fal mëkatet. Amin

 

Një këshillë e Fudajlit:

Frika e robit prej Allahut varet nga shkalla e dijes që e ka njeriu për Allahun. Asketizmi në dynja varet nga lakmimi që e ka njeriu për Ahiretin. Ai që punon me atë që e di, ndalet nga puna me atë që nuk e di. Ai që punon me dije Allahu do t’ia mëson edhe atë që nuk e di. Ai që nuk ka moral të mirë e ka shëmtuar fenë dhe namin e tij.

 

Gënjeshtari më i madh është ai që kthehet në mëkat dhe njeriu nuk do ta plotëson besimin e tij përderisa nuk arrin që epshin t’ia nënshtron fesë.

Ajo që ka kaluar përmendet si shembull, dita e sotme është për punë kurse e nesërmja është shpresë.

 

Kur Harun Rashidi e vizitoi në shtëpinë e tij, ai e këshilloi me fjalët me te cilët Salimi i biri i Abdullahut dhe Rexhai i biri i Hajves e këshilluan Omer ibën Abdul Azizin:

Për agjërimin në botë përgatite iftarin që do ta hash pas vdekjes në ahiret. Ndaj plakut prej myslimanëve sillu si ndaj babës, ndaj atij në moshë te mesme sillu si ndaj vëllait, ndaj të riut prej myslimanëve sillu si ndaj birit. Plakun respektoje, burrin nderoje dhe birin mëshiroje.

Atë që e do për vete doje edhe për vëllain.

 

Allahu e mëshiroftë më mëshirën e Tij të gjerë në dynja dhe ahiret.

 

Përpiloi: Talha Kurtishi

 

Advertisements