FJALË MES DY ZEMRASH

FJALË MES DY ZEMRASH

Fatmir Muja

 

Po pate fuqi, merri vetëm fjalët dhe ik

Me ikjen tënde bëje fundin më të bukur se fillimin

Me fjalët e mia bëje ndarjen më të bukur se takimin

Gjithë çfarë të duhet nga varfëria ime janë fjalët me të cilat unë u pasurova.

Ndoshta mbas meje s’do të gjesh asgjë më të mirë se vetmia

Por vetmia është ajo që na e mundëson të rrimë me vetveten

Ajo na mëson se mosprania nuk është mungesë

Ata që i duam kurrë nuk mungojnë, janë aty brenda nesh

Mosmungesa e tyre na bënë të vuajmë për mospraninë e tyre

Me vuajtjet tona për ta, i japim kuptim jetës sonë pa ta.

 

Aq sa i duam ardhjet, i urrejmë ikjet

Mund t’i fshehim plagët por jo edhe dhimbjet

Nëse të plagosa, këtë e bëra që të ta shpëtoj jetën

Njëlloj si i urti që dëmtoi anijen e të varfërve për ta shpëtuar nga piratët

Një zemër që jeton përvujtnisht, është më e fortë se vuajtjet

Zemra s’u krijua vetëm për të dashuruar,

por edhe për t’i duruar vuajtjet që mund t’ia shkaktojë dashuria

Sytë s’u krijuan vetëm për të parë,

por edhe për të qarë për gjërat që kanë hyrë në zemër nëpërmjet shikimt.

Prandaj, merri vetëm fjalët dhe ik se të gjithë kemi nevojë të rrimë me vetveten.

 

Nëse njëmendësisht mençurinë dhe budallallëkun e ndan një vijë e hollë

Dije se këtë vijë unë e kam fshirë që ndarjet të më bëjnë mirë

Prandaj merri fjalët dhe largohu nëse do të më ndjesh më afër

Nga largësia mund ta shohësh më qartësisht çfarë jam e çfarë kam

Po m’u afrove do të ta lë përshtypjen e një pikture

që duke qenë tepër afër saj, nuk shquan asgjë veç ca vijave

që ka lënë peneli i piktorit në bezin e telajos

Largohu që të më shohësh të tërin, nëse më do të tërin!

 

Po pate vetëm pak fuqi, merri fjalët dhe ik

Me ikjen tënde do ta kuptosh sa vdekjeprurëse janë gjërat që na mbajnë larg vdekjes

Sa shpesh u ngjajmë mizave që duke iu afruar mjaltit i afrohen fundit të jetës,

Sa shpesh gabojmë nga frika se mos gabojmë

Kur ndjejmë dhimbje të mëdha, të voglat i harrojmë

Kur bien këmbanat e mëdha, të voglat s’i dëgjojmë…

Dhe jeta na shkon duke menduar se një ditë do jetojmë.

 

Mbase nga fjalët e mia ke marrë aq fuqi sa për të ikur

Dhe me ikjen tënde ta bësh të mundur kthimin tënd

Kur t’i kemi jetuar larg njëri-tjetrit  të gjithë dimrat e vuajtjeve tona

Pranvera e jetës do lulëzojë në shpirtrat tanë të përndritur

Atëherë do kemi të drejtë t’ua themi të gjithëve të vërtetën:

S’mund të jemi të gjallë për tjetrin, nëse jemi të vdekur për veten

S’mund t’i pyesim të vdekurit kur janë të pranishëm të gjallët

Ti ik, dhe kur të kthehesh, kthehu prapë me fjalët!

Eh, sado që lotojnë syte, lotët sërish treten

Mes dy emrash, mes dy zemrash, sërish fjalët mbeten.

 

Lini një koment