Shfaqje të shirkut në teuhidin rrububije

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka te adhuruar tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ue ala alihi ue sel-lem.
Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, ç`do shpikje është bid’at dhe ç`do bid’at është lajthitje, e ç`do lajthitje të çon në zjarr.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit.

Shfaqje të shirkut në teuhidin rrububije


Me të vërtetë falënderimet i takojnë Allahut, vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë prej të keqes së punëve dhe vetveteve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbasë dhe atë që e humbet nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij. Dëshmoj e deklaroj se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

O vëllezër, robër të Allahut!
Folëm në xhumanë e kaluar për teuhidin rrububije, dhe thamë : Është detyrë për muslimanin të besojë me bindje të plotë se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, Ai është Mbreti dhe Rregulluesi i gjithçkaje, Ai është Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe Marrësi i saj. Ai është që drejton të gjitha çështjet e njerëzve dhe të gjitha ato kthehen tek Ai. Ky besim duhet të jetë i ngulitur në zemër, që edhe nëse njeriu vdes, të jetë besimtar i këtyre pikave. Dhe kemi thënë të xhumanë e kaluar se shumë prej njerëzve bëjnë shirk në këtë lloj të teuhidit, madje për këtë sollëm edhe shembuj, siç edhe Allahu i Madhëruar thotë në Kuran : “Dhe shumica e tyre nuk besojnë në Allahun veçse duke i bërë atij ortak (në adhurim)” [Jusuf : 106]

Vëllezër muslimanë!

Për shkak se shirku është murtajë për atë që e punon, si në dynja ashtu edhe në ahiret, vendosëm – që me lejen e Allahut – edhe këtë xhuma të flasim për disa shfaqje të shirkut në teuhidin rrububije, për të tërhequr vërejtjen me qëllim që njerëzit të mos bien në to, edhe pse shumë prej tyre kanë rënë, veç atyre që ka mëshiruar Allahu.

Robër të Allahut!
Prej veprave që konsiderohen shirk në këtë lloj të teuhidit është : “Falli, besëtytnitë dhe frika nga tersllëku”
Ky është një zakon i trashëguar që nga injoranca para Islamit. Njerëzit e asaj kohe, kur dikush prej tyre donte të nisej për udhëtim apo për kryerjen e ndonjë pune të rëndësishme dhe shikonte ndonjë zog që fluturonte nga ana e djathtë duke shkuar në të majtë, kthehej nga rruga e tij i mbushur me pesimizëm, ndërsa kur dilte dhe shikonte që ndonjë zog fluturonte nga ana e majtë duke shkuar në të djathtë, atëherë, vazhdonte punën e tij plot optimizëm. Pastaj u dërgua Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} me këtë fe të madhe, me këtë dritë të qartë, tek njerëzit të cilët përpëliteshin në errësirat e injorancës, për ti hedhur poshtë këto besëtytni, dhe për tu sqaruar atyre se këto gjëra nga të cilat bëheshin pesimistë nuk posedojnë as dëm e as dobi kundrejt tyre. Ai u sqaroi njerëzve se falli është shirk duke thënë : “Falli është shirk, falli është shirk, e nuk ka prej nesh njeri veçse, por Allahu e largon atë me mbështetjen tek Ai” [Ebu Daudi : 2/158, Sahiha : 430] Dhe thotë : “(Pa lejen e Allahut) Nuk ka : Ngjitje te sëmundjes (nga i sëmuri tek i shëndetshmi), as zogjte nuk kane ndikim, e as kukuvajka, e as muaji Sefer nuk sjell tersëllëk” [Muslimi : 2222]
Dhe thotë : “Nuk është prej nesh ai që hedh fall apo i hidhet atij, as ai që bën magji apo i bëhet atij (me dëshirën e tij)” [Sahihul Xhami’ : 5435]

Dikush mund të pyesë; Pse falli apo pesimizmi i shkaktuar prej tij është shirk?
Themi; sepse ai që ka hedhur fall apo është bërë pesimist për atë shkak beson në zemrën e tij se kjo gjë nga e cila u bë pesimist është në gjendje të bëjë dëm, prandaj kjo bie ndesh me bazat e teuhidit dhe me bazat e besimit. Besimtari besnik, i sinqertë dhe njësues, e di se ajo fatkeqësi që mund ti ketë rënë nuk mund të mos e godiste, dhe çfarë nuk i ka rënë nuk mund ta godiste! Madje e di se çdo gjë është në Dorën e Allahut të Madhëruar. Prandaj është detyrë për çdo musliman që nëse niset për kryerjen e një vepre dhe i ndodh diçka që e bën pesimist, atëherë le ta vazhdojë punën duke ju mbështetur Allahut dhe të mos kthehet prapa, sepse nëse kthehet atëherë ka bërë shirk.

Falli dhe pesimizmi kundërshtojnë mbështetjen tek Allahu i Madhëruar dhe punimin me shkaqet.

Shumë njerëz kur dëgjojnë ndonjë qen që leh me vajtim besojnë se ai lajmëron për dikë që do të vdesë! Madje shumë të tjerë besojnë se nëse kukumjaçka qëndron afër ndonjë shtëpie dhe këndon, atëherë dikush nga ata do të vdesë, dhe kjo i bën ti mbulojë ata stresi dhe pesimizmi për jetën! Ky është besim i kotë dhe i shtrembër. E nëse këta njerëz do të besonin se çdo çështje është në Dorën e Allahut dhe gjithçka kthehet tek Ai, nuk do të bëheshin pesimistë e as do të stresoheshin, prandaj Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë :

“Ai njeri që falli (besëtytnia) e kthen nga realizimi i punës së tij, ka bërë shirk.

I thanë : – E si dëmshpërblehet kjo?

Tha : Le të thotë : – O Allah, nuk ka mirësi veç mirësive të Tua dhe nuk ka gjë që ndodh veçse me lejen Tënde, e nuk meriton të adhurohet askush përveç Teje!” [Ahmedi : 2/220, Sahiha : 1065, Sahihul Xhami’ : 6214]

Vëllezër muslimanë!
Jo vetëm që falli dhe tersllëku janë shirk, por ato janë edhe moral i keq prej moraleve të mushrikëve, mohuesve dhe armiqve të të Dërguarve të Zotit. Nëse lexojmë Kuranin do të shohim se si mushrikët e Mekës u bënë pesimistë dhe e quajtën tersllëk dërgesën e Profetit {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} në mesin e tyre. Për këtë na lajmëron Allahu i Madhëruar në Fjalën e Tij : “Nëse atyre u jepet ndonjë mirësi, thonë se kjo është nga Allahu, e nëse i godet ndonjë e keqe thonë se kjo është për shkakun tënd! Thuaj : – Të gjitha janë nga Allahu! Por, ç’është me ata njerëz që gati nuk kuptojnë asgjë?!” [Nisa : 78]

Gjithashtu populli i Profetit Salih {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i thanë atij : “Thanë : – Ne ndjejmë tersllëk nga ti dhe nga ata që janë me ty. Tha : – Ndjellja e tersllëkut tuaj është tek Allahu {do të llogaritet nga Ai}, por ju jeni njerëz që ngatërroheni” [Neml : 47]

Edhe banorët e fshatit që përmendet në suren Jasin iu drejtuan të Dërguarve të Zotit tek ata duke u thënë : “Thanë : – Ne parandiejmë fatkeqësi për shkakun tuaj, prandaj nëse nuk tërhiqeni, atëherë do t’iu gurëzojmë dhe do të përjetoni ndëshkim të hidhur prej nesh” [Jasin : 18]


Pra, falli dhe parandjenja e tersllëkut janë shirk dhe moral i ulët!

Vëllezër besimtarë!


Prej veprave të tjera që konsiderohen shirk janë “Rukjet, hajmalitë dhe nuskat”

Thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} : “S’ka dyshim se rukjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk” [Sahihul Xhami’ : 1632]

Çfarë janë rukjet?

Ato janë këndimet dhe fryrjet që i bëhen një të sëmuri. Një pjesë e tyre lejohet në sheriat, ndërsa një pjesë tjetër konsiderohet shirk. I Dërguari i Allahut {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}ka thënë : “Nuk ka gjë nëse bëhet rukje, që nuk përmban brenda saj shirk” [Muslimi : 2200]

Madje është theksuar se Xhibrili {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i ka bërë rukje Profetit {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} dhe Profeti u ka bërë Sahabëve, e edhe Sahabët i kanë bërë rukje njëri-tjetrit. Për këto arsye dijetarët janë të mendimit unanim se rukja lejohet por duhet të përmbushë tre kushte, siç e ka përmendur këtë Imam Neueuiju dhe të tjerë përveç tij. Prandaj tregohuni të vëmendshëm o robër të Allahut, sepse në këtë kohë ka shumë njerëz që këto punë i kanë kthyer në biznes. Ata kanë marrë emër mes njerëzve për këto vepra, madje ndoshta edhe i dëgjon se si mburren dhe thonë paturpësisht : – Unë fryj, unë nxjerr xhinët, unë shëroj etj! Nuk e di ky i mjerë se ky është lavdërim i vetes, ndërsa Allahu thotë : “Dhe mos i lavdëroni vetvetet” E nuk është turp nëse gabon, por turp është të qëndrosh kokëfortë në gabim.

Vëllezër muslimanë!


Rukja e lejuar duhet të përmbushë tre kushte :

Kushti i parë : Të jetë me Fjalët e Allahut [pra të ketë pjesë të Kuranit] si Fatihaja, ajeti kursi, dy suret e fundit. Nëse është kështu atëherë lejohet t’i bësh rukje vetvetes dhe të tjerëve sepse Kurani është Fjala e Allahut dhe në të ka shërim për besimtarët.

Kushti i dytë : Të jetë në gjuhën arabe të qartë dhe me fjalë që kuptohen, sepse çfarëdo qoftë ndryshe, me fjalë jo të qarta, me shkrime apo vizatime që nuk kuptohen, duhet ditur se këto janë prej veprimeve të magjistarëve dhe fallxhorëve të cilat nuk lejohen.
Në Sunet ka transmetime që e theksojnë këtë veprim ; është saktësuar se Xhibrili {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka ardhur tek i Dërguari i Allahut dhe e ka pyetur : – O Muhamed, a po ankohesh? Tha – Po. Atëherë Xhibrili, për ti bërë rukje Profetit {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} dhe për të mësuar ne se si të veprojmë në këto raste tha: “Me emrin e Allahut të bëj rukje, nga çdo gjë që të shqetëson apo të dëmton, nga e keqja e çdo shpirti apo syri ziliqar. Allahu të shëroftë! Me emrin e Allahut të bëj rukje” [Muslimi : 2187]

Mësoni o robër të Allahut, sepse e kemi lënë fenë tonë dhe marrim mësim nga televizioni! Sa prej nesh e dinë këtë dua, që me të ti bëjë rukje vetes dhe fëmijëve të tij, në vend që të shkojë tek fallxhorët dhe magjistarët?! Secili bën kujdes që të shtojë kanalet e televizorit në shtëpi, ndërsa për të mësuar fenë, jo! Por s’ka ndryshim e fuqi për ndryshim veçse nga Allahu!

Është theksuar se Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} u ka bërë rukje Hasanit dhe Husejnit [Allahu qoftë i kënaqur me të dy] dhe ka thënë : “U mbroj juve me Fjalët e plota të Allahut nga çdo shejtan dhe cytje e tij, dhe nga çdo sy i keq” [Buhari : 4/191]


Si mundet dikush prej nesh ti bëjë rukje vetvetes?

Thotë {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} : “Kur ndokush nga ju ndjen dhembje në trupin e tij, atëherë le të vendosi dorën mbi vendin që ndjen dhimbje e pastaj të thotë : “” tre herë. Pastaj të thotë “Mbrohem me Allahun dhe me Fuqinë e Tij nga e keqja që ndjej dhe që ruhem prej saj” shtatë herë. [Muslimi : 2202]


Pra, çdo njeri mundet ti bëjë rukje vetes, sepse Ai që bën dobi dhe që shëron, është Allahu. Prandaj nuk ka nevojë që të dalë dikush prej nesh e të posaçërojë veten e tij për rukje, sepse Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} na ka mësuar se si çdokush nga ne mund ti bëjë rukje vetvetes dhe fëmijëve të tij. Ndërsa kur të kërkohet, apo kur shikon dikë që është sëmurë, nuk ka problem nëse i bën atij rukje, pa ta kërkuar ai, por këtë gjë duhet ta bësh me sinqeritet për Allahun dhe shpërblimin ta presësh për në botën tjetër.

Kushti i tretë : Të besojë si ai që bën rukjen ashtu edhe ai që i bëhet rukja se rukja në vetvete nuk është shëruese, sepse Shëruesi është Allahu, ndërsa rukja është sebep ashtu si ilaçet. Allahu është Shëruesi, ndërsa ilaçet janë sebepi, po kështu edhe rukja është sebep, sepse përfundimi është në Dorën e Allahut!

Shirk konsiderohen edhe hajmalitë :
Hajmali quhen ato që u lidhen fëmijëve, që vendosen në makina, nëpër shtëpitë e njerëzve apo kafshët e tyre dhe që janë të ndryshme si : dorë, sy, këpucë, hudhër, patkua, brirë, flamur, kukulla etj etj.
Thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Ai që lidh një hajmali ka bërë shirk” [Sahihul Xhami’ : 6270]

Pra ai që var një këpucë ka bërë shirk, ai që var një hudhër në makinë apo në shtëpi, ka bërë shirk! Sa ka prej grave që mbartin me vete hajmali?! Ndërsa tregohet për një grua se sa herë që lindte i vdisnin fëmijët, dhe injorantët i thanë : – Shko tek filani –magjistar- që të të bëjë një hajmali për të mos vdekur fëmijët! Atëherë shkoi dhe ai i bëri një hajmali të cilën ia vari fëmijës së sapolindur. Allahu i Madhëruar kishte caktuar për këtë fëmijë që të mos vdiste, ndërsa nëna besonte se jeta ishte e varur nga hajmalia, nëse e hiqte prej tij ai do të vdiste menjëherë! Besim i shtrembër dhe shirk. E nëse kjo grua vdes me këtë besim, nuk mund të shpëtojë kurrë, sepse ajo beson se magjistari dhe hajmalia janë posedues të dëmit dhe dobisë!

Po ashtu shirk konsiderohen edhe nuskat :
Nuskat janë një lloj prej llojeve të magjisë që gjenden shumë mes njerëzve, e që i përgatisin ato magjistarët dhe fallxhorët.
Nëse një grua mendon se burri i saj nuk e do, nxiton për tek magjistarët me qëllim që ti përgatisin diçka, që duke e varur atë, ajo do të fitojë dashurinë e burrit të sajë!

Ndërsa Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “S’ka dyshim se rukjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk” [Sahihul Xhami’ : 1632]
Dhe thotë : “Ai që var apo lidh diçka, mbështetet tek ajo” [Sahihut Tirmidhij : 2074]

Sqaruam se falli është shirk, ashtu edhe rukjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk.


Shirku, o robër të Allahut, është errësirë mbi errësirë, murtajë e keqe si në dynja ashtu edhe në ahiret. Ai është gjynahu më i madh; ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} “A t’iu tregoj për gjynahun më të madh? T’i bësh shirk Allahut, mosrespektimi i prindërve dhe fjala e gënjeshtërt”[Sahihul Xhami’ : 2625]

Shirku është gjynahu më i tmerrshëm ; Ibnu Mes’udi ka pyetur Profetin {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} se : – Cili është gjynahu më i tmerrshëm? Iu përgjigj : – t’i bësh Allahut ortak, duke ditur se Ai të ka krijuar!” [Buhari ]

Pra, ti bësh shirk Allahut edhe pse e di që vetëm Ai të ka krijuar.


Shirku shkatërron veprat. Dikush përpiqet gjatë gjithë jetës së tij për vepra të mira, derisa mund ti ketë ato sa malet, por kur vjen Ditën e Gjykimit nuk gjen aspak shpërblim për to tek Allahu për shkak se ka qenë mushrik.

Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Ne paraqitëm veprat që ata punuan dhe i bëmë ato hi e pluhur” [Furkan : 23]
Dhe ka thënë : “Edhe sikur ata (Profetët) të bënin shirk, atëherë do tu shkatërroheshin veprat e tyre” [EnAmë : 88]
Dhe ka thënë : “Dhe të është shpallur ty, e edhe atyre para teje se : “Nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua do të asgjësohen dhe ti do të jesh prej të humburve” [Zumer : 65]

Shirku nuk falet veçse me pendim të sinqertë ; ka thënë i Madhëruari : “Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) që ti bëhet shok Atij, e veç këtij mëkati, të tjerat ia fal atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur në një humbje të madhe” [Nisa : 116]


Shirku ja bën haram xhenetin atij që e vepron, madje e fut atë në zjarr. Thotë i Madhëruari : “Bënë kufër (mohuan të vërtetën) ata që thanë : “Allahu është Mesihu biri i Merjemes” e vetë Mesihu tha : “O beni israil, adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shokë, Allahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij Xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk do të ketë ndihmës “ [Maide : 72]

Ai që posedon dëmin dhe dobinë është Allahu, prandaj besimtari që mbart besim të pastër dhe është njësues, jeton një jetë të qetë dhe të rehatshme. Thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Është e habitshme çështja e besimtarit, ajo gjithmonë është në të mirën e tij, dhe nuk është kështu për askënd tjetër veç tij. Nëse atë e godet ndonjë e mirë, ai falënderon, dhe kjo është më mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe, atëherë ai duron, e edhe kjo është më mirë për të”[Muslimi : 2999]

Dhe i ka thënë {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} Ibnu Abasit {Allahu qoftë i kënaqur me të} : “O djalosh! Unë po të mësoj disa fjalë; Ruaje Allahun që të të ruajë Ai ty, ruaje Allahun që ta gjesh Atë pranë! Kur të lutesh lutju Allahut, e kur të kërkosh ndihmë, kërkoi Atij, dhe dije se sikur gjithë umeti të bashkohet me qëllim që të të bëjnë dobi, nuk do të të bëjnë veçse aq sa Allahu ka caktuar për ty! Madje edhe nëse të gjithë ata bashkohen për të të dëmtuar, nuk do të munden veçse aq sa Allahu ka caktuar kundër teje. Penat janë ngritur dhe fletët janë tharë” [Tirmidhiu : Hasen Sahih].


O Allah, ne të kërkojmë dije të dobishme, punë të pranueshme, zemra të frikësuara, gjuhë që të përmendin dhe trupa që durojnë ndaj sprovave!

Marrë nga libri me hutbe i shejhut të nderuar
Salih bin Taha Abdul Uahid ( Ebu Islam)
Nxënës i shejh Albanit Allahu e mëshiroftë.

“El Akidetu Euelen”
1/84-90

Përktheu:
Mirandi Shehaj

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: