Gaza: Komshiu i keq

Gaza: Komshiu i keq

Gabimi i komshiut të keq dhe i shokëve të tij në mëhallën tjetër
ishte: Këta njerëz zgjodhën partinë e gabuar.
E diel, 11 Janar 2009 22:02
Nga: Rolf Verleger

Çfarë do të bënit ju – kështu shkruante më 31.12. historiania
izraelite Prof. Fania Oz-Salzberger në gazetën Frankfurter Allgemeine
– nëse komshiu juaj do të hidhte vazhdimisht gurë dhe molotovë në
banesën tuaj? A nuk do të kapnit dikur armën për t’i dhënë fund kësaj
gjendjeje? Dhe nëse komshiu do të rrethohej me fëmijët e tij, që ju
mos ta qëlloni dot, a nuk do të merrnit atëherë një armë snajper?
Kështu si ky komshiu sillet Hamasi në Gaza, kur sulmon qytete
izraelite me raketa. Prandaj edhe lufta e tanishme e Izraelit kundër
Gazës qenka një luftë e drejtë.

Për këtë shembull me komshinj i jam shumë falënderues zonjës
Oz-Salzberger, sepse me të mund të shpjegohet shumë. Për arsye
thjeshtësie le t’ju quajmë ju dhe familjen tuaj të terrorizuar aq
poshtër nga komshiu i keq, pronarët e shtëpisë dhe të vërejmë gjendjen
e çuditshme në mëhallë. Banesa e komshiut është Gaza.

1. Para tre vjetësh i keni marrë komshiut çelësat. Pa pëlqimin tuaj si
pronar shtëpie familja e komshiut s’guxon të dalë nga banesa e saj, as
për të punuar, as për të studiuar, as për të udhëtuar, as për të bërë
pazar. Pa pëlqimin tuaj si pronar shtëpie komshiut nuk i vjen as
posta, as ushqim, as rrymë elektrike, as gaz, as vizita: Banesa është
e kyçur, ju si pronar shtëpie keni çelësin, kurse komshiu i keq s’ka
nga t’ia mbajë. Dhe kjo gjendje vazhdon që nga viti 2006, gati tre vjet.

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

Gabimi i komshiut të keq dhe i shokëve të tij në mëhallën tjetër
ishte: Këta njerëz zgjodhën partinë e gabuar.

Ndërkohë që ju ishit aq të sjellshëm, saqë para 4 vitesh, në 2005,
dolët me dëshirën tuaj nga ballkoni i tij me pamje nga deti, të cilin
ia kishit marrë dikur. Por, kur dolët, natyrisht që nuk denjuat t’i
hidhnit asnjë sy, as t’i thoshit ndonjë fjalë atij tipit. Kurse
mobiliet e ballkonit i shkatërruat. Çfarë u bëmë ne, që të flasim me
fqinjët tanë?

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

2. Përpara dy vitesh, në 2007-ën, ju dhe shokët tuaj amerikanoveriorë
nga sindikata e pronarëve të shtëpive i dërguat komshiut në banesë një
trupë të fortësh, bandën e Mohamed Dahlanit, me qëllim që t’i merrnin
komshiut shtëpinë. Për ters komshiu u mbrojt kundër këtij puçi. Aty
juve ju mbeti hatri, dhe pastaj tentuat t’u mbushnit mendjen të
tërëve, se komshiu i keq ka marrë pa asnjë të drejtë pushtetin në
banesën e tij dhe se nuk është i legjitimuar për këtë. Ju u habitët
edhe vetë se sa shumë gazetarë e përhapën këtë gënjeshtër.

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

3. Ju ia keni llogaritur komshiut koston e mbajtjes së banesës në
mënyrë jokorrekte. Prej vitesh, taksat doganore, të cilat i përkasin
administratës autonome të banesës, nuk paguhen në kohë dhe plotësisht.

4. Ju keni vrarë shumë persona nga banesa e komshiut. Kjo ndodhi në
vitin 2006. Vdiqën me qindra veta. Meqë ra fjala, kjo ishte kapsolla e
luftës në Liban, pasi Hizbollahu donte të hakmerrej ndaj Izraelit për
këto bëma.

5. Prej kohësh ju i keni marrë komshiut makinën e tij. Komshiu kishte
dikur një aeroport – ndërtuar me para nga BE-ja. Kurse ju e prishët:
Komshinjtë e këqij nuk kanë nevojë për aeroport.

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

6. Ju i morët komshiut punën e tij. Komshiu dikur dilte për të kapur
peshk. Këtë ju ia ndaluat. Dikur ai kishte fabrika. Në 2006 ju ia
bombarduat. Dikur ai kishte bujqësi. Ju e shkatërruat duke ndaluar
eksportin. Komshiu i keq, i cili tani do të qëllojë, nuk duhet të
peshkojë, të punojë, të lërojë tokën. Komshiu i keq duhet të qëllojë
mbi ju, me qëllim që ju të mund të qëlloni mbrapsht. Dhe ai kështu veproi.

7. Gjykatat i kanë dhënë të drejtë komshiut të keq. Shumë specialistë
të së drejtës së fqinjësisë, si Amnesty International, ekspertë të
Kombeve të Bashkuara, marrës të çmimit Nobel për paqen, kanë thënë
qartë, se sjellja juaj si pronar shtëpie ndaj komshiut tuaj bie ndesh
prej vitesh me të drejtën dhe ligjin.

Për fat të mirë, këta njerëz nuk kanë polici, për të zbatuar të
drejtën dhe ligjin. „Sa divizione ka Papa?” bënte humor Stalini.

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

8. Ju po dëboni prej vitesh shokët e komshiut të keq nga banesat e
tyre. Fatkeqësisht, komshiu i keq ka akoma celularë dhe telefona.
Prandaj ai e merr vesh ditë për ditë, se si ju dëboni nga banesat e
tyre shokët dhe të afërmit e komshiut të keq nga mëhalla e Bregut
Perëndimor. Mjeti kryesor për këtë është muri i madh, të cilin ju e
keni ndërtuar mes për mes mëhallës. Sepse ju nuk e keni ndërtuar këtë
mur, i cili në fakt duhet t’i shërbente sigurisë suaj, rreth banesës
suaj, por përmes banesave të këtyre shokëve. E ç’u duhen atyre dy
dhoma banimi? Një del e tepron! Tek tjetra le të banojnë më mirë
shokët tuaj! E edhe kur ata vetë brenda banesës së tyre të zvogëluar
detyrohen të kalojnë mes një kontrolli sigurie ndërsa shkojnë nga
dhoma e ndenjjes në banjo, nuk ka ndonjë gjë: E gjithë jeta është një
dhomë pritjeje! E kush guxon të demonstrojë në mënyrë paqësore mund të
marrë në Gjermani ndonjë çmim paqeje, kurse në shtëpi gaz lotsjellës,
ose kur ka fat të keq ekzekutohet për demonstrim me arsye
„vetëmbrojteje” . Natyrisht që shokët e komshiut të keq vajtën para
Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për shkak të murit që kalon mes për mes
banesës së tyre, por ministri i atëhershëm i jashtëm gjerman, një
burrë i ngathët i quajtur Fischer, e quajti këtë hap „jo të
ndihmshëm”. Natyrisht që gjykata u dha të drejtë shokëve, por përsëri
nuk ka polici, e cila mund ta zbatojë të drejtën.

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

9. Përpara 60 vjetësh, ju i morët komshiut pronësinë e shtëpisë.
Përpara shumë kohësh, gjyshi i komshiut ishte pronari i të gjithë
shtëpisë. Atëherë, gjyshërit tuaj erdhën në këtë shtëpi, të frikësuar,
të përndjekur. Kjo ishte një strehë e mirë prej furtunës. Shpejt ata
ndërtuan një banesë në oborr. Oborri nuk i përket askujt, apo jo? Epo,
arabë janë. Herë pas here vinte ndonjë ëndërrimtar humanist i quajtur
Achad ha’Am, Martin Buber, Hannah Arendt e disa të tjerë, që thoshin
se duhet jetuar në miqësi me pronarin e shtëpisë. Por, për hir të
Marksit, këta arabët ishin shumë primitivë për të ndërtuar
socializmin. Me katundarë të tillë nuk mund të lidhësh miqësi. Kurse
më vonë, kur Marksi doli nga moda, atëherë thanë: Për hir të Zotit,
këta arabët kanë fenë e gabuar, çfarë kërkojnë këtu në Shtëpinë e
Shenjtë? Ka sa të duash shtëpi ku mund të shkojnë. E pastaj, më 1947,
prindërit tuaj u morën prindërve të komshiut të keq pjesën më të madhe
të shtëpive, ndërkohë që ata iknin në panik nga frika e terrorit të
prindërve tuaj të armatosur. Kurse sot, shumë pasardhës të këtyre
njerëzve jetojnë në atë një shtëpi, në atë copëz toke më të
mbipopulluar të globit, në Gaza. Po përse është kaq e mbipopulluar?

Dhe ja ku komshiu i keq u inatos.

10. Pasthënie.

Kur sionistët e parë çifutë erdhën në Izraelin e sotëm rreth vitit
1890, ata kishin ikur nga diskriminimi në perandorinë cariste, nga
zjarrvëniet dhe vrasjet e pogromeve, në kërkim të një jete të lirë, të
vetëvendosur, e cila nuk iu mundësua në vendlindjen e tyre të vjetër.
Ky nuk ishte një konflikt i së mirës kundër të keqes, por zënka për
një copë tokë, e cila për arabët palestinezë ishte vendlindje, kurse
të ardhurve u dukej si atdheu i vetëm i mundshëm. Këtë konflikt e
fitoi ana çifute, me çmimin e gjendjes së përhershme të luftës. Por
plani i paqes ka shumë kohë që është mbi tavolinë. Ai qëndron në
zgjidhjen dyshtetëshe në kufijtë e 1967-ës, në një marrëveshje të
ndërsjellë të problemit të refugjatëve, në një marrëveshje të
ndërsjellë mbi Jerusalemin. Këtë zgjidhje i kanë ofruar dhe ribërë
sërishmi Izraelit në vitin 2002 shtetet anëtare të Ligës Arabe.
Izraeli nuk bie dakord me këtë, sepse Izraeli nuk mund të vendosë,
nëse do ta mbajë dhe ta zgjerojë tokën e pushtuar pa të drejtë në
Bregun Perëndimor. Për sa kohë Izraeli nuk thotë “po, duam më mirë
paqe, heqim dorë nga pushtimi”, për kaq kohë nuk do të ketë paqe.

Pozicioni i Gjermanisë në këtë konflikt është i pavendosur. Por a
mundet fakti, që ne çifutët evropianë u bëmë viktima të një
padrejtësie të shkaktuar nga Gjermania, t’i japë shtetit çifut të
drejtën t’u shkaktojë të tjerëve padrejtësi? A besojnë politikanët
gjermanë me të vërtetë, se është një dëmshpërblim për vrasjen e
paraardhësve të mi çifutë, që tani Izraeli të bëjë çdo gjë që i pëlqen
pa kufi dhe pa detyrime. Përkundrazi, Izraelit do t’i bënte
pafundësisht mirë, sikur ta nxirrnin nga pozicioni i fantazuar i
viktimës së përjetshme dhe të integrohej në sistemin kontrollues
ndërkombëtar si çdo shtet tjetër. Kjo do të thotë, që pushtimi ilegal
i Bregut Perëndimor dhe bllokada prej vitesh e Gazës në kundërshtim me
ligjin ndërkombëtar duhen ndaluar. BE-ja duhet ta masë Izraelin në
hapat e tij drejt respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe të të
drejtave të njeriut, siç mat Turqinë dhe Serbinë. Vlerësimi ligjor i
rastit Olmert duhet të ndiqet, njësoj si rasti Millosheviç, në Hagë.

Autori Prof. Dr. Rolf Verleger është psikolog në universitetin e
Lübeck-ut. Ai ka ngritur bashkësinë çifute të qytetit Lübeck dhe është
që nga viti 2006 i deleguar në këshillin qendror të çifutëve në Gjermani.

Nga gjermanishtja: Egin Ceka
Marrë nga: Hintergrund

Advertisements

Pse e urrejnë kaq shumë Perëndimin?

Pse e urrejnë kaq shumë Perëndimin?

Ja, edhe një herë, Izraeli ka hapur dyert e ferrit për palestinezët. Gati 50 të vrarë brenda një dite. Jo keq për punën e një nate në Gaza, për një ushtri që beson në “pastërtinë e armëve”. Po pse duhet të befasohemi? I kemi harruar vallë 17500 të vdekurit, shumica civilë, pjesa më e madhe fëmijë dhe gra në pushtimin izraelit të Libanit, 1700 civilët e vdekur palestinezë në masakrën Sabra-Chatila, masakrën e Qanas të 106 refugjatëve libanezë në vitin 1996, 1100 të vdekurit dhjetë vjet më vonë në pushtimin e Libanit, pothuajse të gjithë civilë? Ajo që është e mahnitshme, është se ka kaq shumë udhëheqës të Perëndimit, presidentë dhe kryeministra, dhe kam frikë që edhe shumë redaktorë e gazetarë “e hëngrën” rrenën e vjetër, që izraelitët kujdesen për të shmangur vdekjet e civilëve. “Izraeli bën çdo përpjekje që të shmangë vdekjen e civilëve”, tha edhe një ambasador tjetër i Izraelit, vetëm pak orë para masakrës së Gazës. Dhe secili president dhe kryeministër, i cili përsëriti këtë gënjeshtër si një arsyetim që të shmanget një armëpushim, e ka gjakun e kasapit në duart e tyre. Nëse Xhorxh Bush do të kishte guximin që të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm 48 orë më herët, ata 40 civilë, të moshuarit dhe gratë e fëmijët, do të ishin gjallë tani. Ajo që ndodhi nuk ishte vetëm e turpshme. Ishte pafytyrësi. A do të ishte shumë i fuqishëm përshkrimi “krim lufte”? Sepse ashtu do t’i quanim këto krime, në qoftë se do të kryheshin nga Hamasi. Ndaj kam frikë se ishte një krim lufte. Pasi mbulimit të aq shumë vrasjeve masive nga armiqtë e Lindjes së Mesme, nga ushtarët e Sirisë, Irakut, Iranit, Izraelit, ma merr mendja se cinizmi duhet të jetë reagimi im. Por Izraeli thotë se po e lufton luftën tonë kundër “terrorit ndërkombëtar”. Izraelitët thonë se po luftojnë në Gaza për ne, për idealet tona perëndimore, për sigurinë tonë, me standardet tona. Me këtë jemi duke marrë pjesë në egërsinë që po ushtrohet tani në Gaza. Masakrat Sabra-Chatila u kryen nga aleatët e së djathtës së Izraelit, falangistët libanezë, gjersa ushtarët izraelitë, ashtu si zbuloi vetë komisioni hetues i Izraelit, shikuan për 48 orë dhe nuk bënë asgjë. Kur u fajësua Izraeli, qeveria e Menachem Begin-it e akuzoi botën për shpifje të përgjakjes. Pasi artileria izraelite kishte goditur bazën e OKB-së në Qana, në vitin 1996, izraelitët thanë se Hezbollahu i armatosur fshihej në atë bazë. Ishte një gënjeshtër. Mbi 1000 të vdekurit e vitit 2006, një luftë që nisi kur Hezbullahu kapi dy ushtarë të Izraelit në kufi, thjesht u shpërfillën si përgjegjësi e grupit libanez. Izraeli tha se trupat e fëmijëve të mbytur në masakrën e dytë në Qana mund të ishin marrë nga varrezat. Ishte edhe një gënjeshtër tjetër. Masakra e Marwahinit kurrë nuk u fal. Populli i fshatit u urdhërua të ikte dhe iu bind urdhrave të Izraelit, e pastaj u sulmua nga ushtria e Tel Avivit. Refugjatët i morën fëmijët e tyre dhe i vendosën përreth kamionit me të cilin po udhëtonin, në mënyrë që pilotët e Izraelit të shihnin se ishin të pafajshëm. Pastaj helikopteri i Izraelit i vrau për së afërmi. Vetëm dy mbijetuan, duke u bërë si të vdekur. Izraeli as që kërkoi falje. Unë i mbulova të gjitha këto mizori, i hulumtova të gjitha, fola me të mbijetuarit. Ashtu bënë edhe disa kolegë të mi. Fati ynë, natyrisht, ishte një shpifje nga më të përgojuarat: ne u akuzuam se ishim antisemitë. Dhe e shkruaj këtë gjë pa asnjë dyshim: do t’i dëgjojmë këto fabrikime skandaloze sërish. Ne do ta kemi gënjeshtrën ku fajësohet Hamasi, por Zoti e di, pasi ka mjaft gjëra për të cilat mund të fajësohen edhe pa ua shtuar këtë krim, dhe ndoshta edhe do ta kemi gënjeshtrën e trupave nga varrezat dhe definitivisht do ta kemi gënjeshtrën se Hamasi ishte në shkollën e OKB-së. Ne do ta kemi gënjeshtrën antisemitizëm. Atëherë udhëheqësit tanë do të murmurisin dhe do t’ia përkujtojnë botës se Hamasi në fillim e shkeli armëpushimin. Por nuk ishte kështu. Izraeli e shkeli së pari më 4 nëntor, kur bombardimet e tij vranë gjashtë palestinezë në Gazë dhe pastaj sërish më 17 nëntor, kur një tjetër bombardim vrau katër palestinezë të tjerë. Po, izraelitët meritojnë siguri. 20 izraelitë të vdekur brenda 10 viteve përreth Gazës është një numër i pamëshirshëm. Por 600 palestinezë të vdekur në vetëm një javë, me mijëra gjatë viteve që nga viti 1948, kur masakra izraelite në Deir Yassin, ndihmoi në fillimin e ikjes së palestinezëve nga ajo pjesë e Palestinës që do të bëhej Izrael, është në një shkallë tërësisht tjetër. Kjo kujton jo një përgjakje normale të Lindjes së Mesme, por një ligësi në nivelin e luftërave të Ballkanit në vitet ‘90. Dhe natyrisht, kur një arab mbushet me tërbimin e papërmbajtur dhe nxjerr mllef të verbër ndaj Perëndimit, ne do të themi se s’ka të bëjë me ne. Pse na urrejnë, do të pyesim? Por të paktën të mos të themi se nuk e dimë përgjigjen

Nga: Robert Fisk

Marrë nga: www.independent.co.uk