Kryqëzatat, luftëra që sollën pasoja fatale për qytetërimet

         Kryqëzatat, luftëra që sollën pasoja fatale për qytetërimet

Autor: Ahmet Qeriqi


Emri “Kryqëzatë” rrjedh nga fjala “kryq”, të cilin e kishin afishuar në flamujt e tyre pushtues, pjesëmarrësit e shteteve evropiane në këto luftëra gjatë viteve 1096-1270. Këto ndërmarrje luftarake, të njohura në literaturën historike të botës si “Kryqëzata” i ka organizuar Kisha Katolike Romake, me qëllim për ta “çliruar” varrin e Krishtit, në Jerusalem, nga turqit selxhukë dhe dinastitë e mbretërive arabe, të identifikuar në shumicën dërrmuese me fenë islame.
Shkaqet e vërteta të kryqëzatave kanë gjetur mbështetje në tezat e Kishës katolike, e cila ka bërë përpjekje të përgjakshme për të rivendosur sundimin fetar mbi shtetet e Mbretërisë së dikurshme të Perandorisë Romake, kryesisht në shtetet e Lindjes së Mesme.
Fushata u ndërmor me qëllim të rikthimit të territoreve të humbura, por nën maskën e “çlirimit” të Varrit të Krishtit në Jerusalem. Në këto lufta të njohura në historinë botërore kanë marrë pjesë qindra e mijëra të krishterë nga Anglia, Gjermani, Polonia, Franca, Spanja, Italia dhe vende të tjera të Perandorisë Perëndimore. Dominon mendimi i përgjithshëm në historinë botërore se këto kanë qenë luftëra me karakter pushtues, por janë zhvilluar nën maskën e fesë dhe rolit dominues të Kishës Katolike.

Kryqëzata e parë u zhvillua gjatë viteve 1096 deri në vitin 1099.
Në këto luftëra qindra mijëra ushtarë nga Franca, Flandrija dhe Normandija e pushtuan Jerusalemin dhe vendosen despotatet e tyre si dhe të ashtuquajturën “Mbretëri të Jerusalemit”. Ndërkohë në vitin 1099 nga sulmi i furishëm i Mbretërisë së Mosulit, krishterët u thyen dhe pjesa dërrmuese e tyre u shtrëngua të kthehet në Evropë.

Në vitet 1147-49 filloi ekspedita tjetër e krishterëve, Kryqëzata e Dytë, në të cilët ushtarët e krishterë u bashkuan nën udhëheqjen e mbretit të Francës, Luigjit të Shtatë dhe mbretit gjerman Konradit të Tretë. As kjo kryqëzatë nuk dha rezultat, meqë nuk u pushtua dot Palestina as varri i Krishtit në Jerusalem.

Kryqëzata e Tretë u zhvillua në vitet 1189-1192 nën udhëheqjen e mbretit anglez Riçardit të mbiquajtur “Zemërluani”, i njohur si mbreti më i famshëm i Evropës së asaj kohe, Në këtë kryqëzatë kanë marrë pjesë edhe mbreti i Francës Filipi i Dytë, mbreti August dhe Mbreti i Gjermanisë Frederiku i Parë, Barbarosa, pothuajse elita ushtarake e Evropës. Gjatë kësaj kryqëzate mbreti i famshëm gjerman u mbyt në një lumë të Azisë së Vogël, ndërsa Filipi i Dytë i Francës u kthye në atdheun e tij pas një zënke me mbretin anglez, Riçard Zemërluanin. Në këtë kryqëzatë nuk u arrit të merret Jerusalemi as Edesa. Forcat e kryqëzatorëve të Evropës i kishte mundur mbreti i Sirisë dhe Egjiptit, komandanti më i njohur i botës arabe të asaj kohe, Salaudin Ejubiu. Ai u kishte premtuar të krishterëve se do t’ iu falte jetën po qe se dorëzoheshin dhe po qe se largoheshin përgjithmonë nga Palestina dhe vendet arabe. Të krishterët kishin pranuar kushtet, ishin larguar pa pësuar, por nuk e kishin mbajtur fjalën, meqë sërish ishin kthyer dhe sërish i kishin përgjakur myslimanët dhe hebrenjtë.

Kryqëzatën e Katërt ( 1202-1204) e kanë udhëhequr feudalët e Francës nën komandën e Republikës së Venedikut. Gjatë kësaj kryqëzate të inspiruar gjithnjë nga Kisha katolike, u pushtua edhe Konstandinopoja nga katolikët, e cila ishte qendra e Mbretërisë së Bizantit. Ndërkohë është ndërmarrë edhe një kryqëzatë tjetër e quajtur Kryqëzata e fëmijëve. Kjo kryqëzatë u ndërmor meqë Kisha kishte konstatuar “se varri i Krishtit mund të çlirohej vetëm nga gjaku i fëmijëve të mitur, që nuk kanë bërë mëkate”. Në këtë mësymje fanatikësh të çmendur janë vrarë më shumë se 15.000 fëmijë nga Franca, Italia, Austria e vende të tjera të Evropës.

Kryqëzata e Pestë ( 1217-1221) ishte drejtuar kundër Sirisë dhe Egjiptit, e cili e mbante Jerusalemin. Për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme kryqëzatorët, me humbje të konsiderueshme në njerëz dhe pajisje luftarake largohen nga Egjipti.

Kryqëzate e Gjashtë ( 1228-1229) Frederiku i Dytë Hoenshtauf kishte pushtuar sërish Jerusalemin, por në vitin 1244 arabët dëbuan forcat e bashkuara të krishtere të Evropës. Me qëllim për të kthyer sërish nën sundim të Evropës Jerusalemin, prijësit e ushtarëve të krishterë të Evropës ndërmorën edhe një kryqëzatë.

Kryqëzata e Shtatë ( 1248-1254) Këtë kryqëzatë e udhëhoqi mbreti i Francës, Luigji i Nëntë. Gjatë luftimeve mbreti Luigj u zu rob, ndërkohë që francezët blenë me para lirimin e tij.

Kryqëzata e Tetë ( 1270) Edhe këtë kryqëzatë e kishte udhëhequr Luigji i Nëntë i Francës, i cili fillimisht kishte sulmuar në befasi Egjiptin me qëllim që ta pushtonte dhe të bënte më tej drejt Jerusalemit. Mirëpo duke parë se ishte e pamundur të realizonte qëllimet, ai hoqi dorë nga pretendimet dhe u kthye në Francë.

Këto janë rrëfimet e shkurtra për tetë kryqëzatat që kanë zhvilluar vendet e krishtera të Evropës për afër 200 vjet rresht me qëllim për ta pushtuar Palestinën dhe disa vende, të cilat dikur kishin qenë pjesë e Perandorisë Romake dhe që konsideroheshin vende të shenjta të krishterimit. Luftërat që morën qindra mijëra kokë njerëzish përfunduan pa sukses. Jerusalemi nuk u pushtua, por bota islame dhe ajo arabe u bashkua dhe fuqizua.

Dy kryqëzatat e fëmijëve, të harruara, shpeshherë të anashkaluara nga historianët evropianë

Për dy kryqëzata të tjera, meqë realisht ishin ndërmarrë 10 kryqëzata, është shkruar fare pak, me qëllim që ato të harrohen dhe të fshihen nga kujtesa. Është fjala për dy kryqëzatat e fëmijëve në vitet 1202-1204, kur në mënyrën më mizore dhe më çnjerëzore ishin dërguar si mish për top, për ta çliruar varrin e Krishtit, më shumë se 15.000 fëmijë të moshës 16 vjeçare nga Franca, Italia, Gjermania e vende të tjera. Shumë fëmijë të krishterë të Evropës, të cilët i kishte zënë dimri i ashpër kishin mbetur të ngrirë nëpër vendet e ndryshme të Lindjes dhe shumë të tjerë i kishin marrë tregtarët dhe i kishin shitur. Ky është rasti i parë në historinë njerëzore kur janë krijuar formacione ushtarake me fëmijë, meqë Papa kishte siguruar se varrin e Krishtit mund ta çlironin vetëm fëmijët e moshës së mitur, të cilët nuk kishin bërë mëkate. Verbëria dhe fanatizmi fetar me këtë rast kishte arritur kulmin e çmendurisë kolektive të turmave luftënxitëse, që kërkonin me çdo kusht të rikthenin pushtimin në tokat e humbura po ashtu të pushtuara dikur nga barbarët dhe paganët romakë.
Historia e luftërave të kryqëzatave ka vazhduar deri në vitin 1464, edhe me shumë luftëra të tjera, të cilat i ka ndërmarrë Selia e Shenjtë në Vatikan duke ndjekur jo të krishterët apo edhe të krishterët që konsideroheshin fe shtrembër. Të tilla dhe të njohura kanë qenë kryqëzatat kundër albigjenëve në Francë, kundër bogumilëve në Bosnje, kundër husitëve në Panoni dhe kundër heretikëve.
Kisha Katolike Romake ka ndërmarrë dhe ka kryer krimet ndër më të shëmtuarat në tërë historinë e njerëzimit, sidomos në periudhën e Inkuizicionit kur janë ndjekur, vrarë e djegur në turrë të druve miliona kundërshtarë, në mesin e tyre edhe emrat më të shquar të botës përparimtare të renesancës italiane dhe evropiane në përgjithësi. Kjo ndërmarrje antinjerëzore ndodhi përnjëherë par përfundimit të turpshëm të 10 kryqëzatave kur edhe filloi të bjerë në tërësi autoriteti i Papatit dhe i fesë katolike pothuajse në të gjitha shtetet e Evropës, të cilat jo vetëm që kishin humbur luftërat dy qind-vjeçare, por kishin rënë moralisht dhe ekonomikisht.
Në fund të shekullit XII dhe të fillim të shekullit XIII, fillon fushata e egër e ndjekjeve kundër “të pafeve”. Në kongresin e Katërt Luteran, mbajtur në vitin 1215, Papa Inoqenti i Tretë kishte marrë vendim për organizmin dhe realizimin e fushatës së përgjithshme të Kishës Katolike kundër heretikëve, njerëzve që dyshoheshin se kishin tradhtuar fenë. Inkuizicioni u zgjerua edhe në Francë, në Gjermani, Spanjë, Angli, Gjermani, Bosnje dhe vende të tjera, ku kishte dominim Vatikani dhe Kisha katolike. Heretikët digjeshin nëpër turra të druve. Ndër dënimet më të lehta sidomos për ata që pendoheshin ishte konfiskimi i pasurisë, dëbimi nga fshati apo qyteti, rrahjet, prerja e gjymtyrëve të trupit, etj. Kisha ndërmori edhe një fushatë kundër atyre që konsideroheshin mëkatarë, magjistarë dhe kundër shtrigave, që kryesisht ishin gra të veja, burrat e të cilave ishin vrarë nëpër luftëra dhe ato kishin mbetur të jetonin dyerve të botës, duke ushtruar zeje të ndryshme për të mbetur gjallë.

Në literaturën e Renesansës janë shënuar shembujt më drastikë të kësaj çmendurie fetare. Shembuj të kësaj zezone kolektive sjellë Xhordano Bruno, filozofi dhe astronomi që u dogj në turrë të druve, pastaj shembuj të ndjekjeve kishte përjetuar dhe kishte përshkruar në veprat e tij edhe vegimtari, Mishel Nostradamus, Nikolla Kopernik, Galileo Galilei dhe qindra të tjerë. Një vepër që rikthen në kujtesë atë periudhë të çmendur të kishës është edhe “Emri i trëndafilit” roman i Umberto Ekos. “Kodi i Da vinçit” i autorit Dan Braun dhe qindra vepra të tjera të autorëve italianë dhe evropianë.
Kryqëzata kundër popullatës arabe, kundër hebrenjve, myslimanëve u ndërmorën sidomos në Spanjë, ku gjatë kësaj fushate u vranë miliona njerëz vetëm sepse nuk ishin të krishterë dhe spanjollë.

Besa e mbajtur e Salaudin Ejubiut dhe pabesia e prijësve të krishterë

Salaudin Ejubiu ( 1138- 1193) Ishte sundimtar islam i Sirisë dhe Egjiptit. Rrjedh nga një familje e njohur e sulltanëve. Thuhet se ishte me origjinë kurde. Si komandant dhe ushtaraku më i njohur i kohës, Salaudin Ejubiu bashkoi Sirinë, Egjiptin, Mesopotaminë dhe Hexhasin. Ishte komandanti i njohur, që i rrethoi prijësit më të shquar të Evropës së krishterë, në Jerusalem, në vitin 1192. Në kohën kur të krishterët kishin pushtuar Jerusalemin, kishin therë e mbytur pothuajse tërë popullatën islame dhe hebraike. Më pas, kur Salaudini me ushtrinë e tij rrethoi të krishterët në Jerusalem, ata duke mos pasur asnjë rrugëdalje kishin vendosur të mbyteshin të gjithë dhe të mos dorëzoheshin, nga frika se Salaudini me ushtarët e tij do të hakmerrej dhe do t’ i mbyste të gjithë, si shenjë hakmarrjeje për masakrimin e popullatës islame dhe hebraike.
Salaudini kishte ndërprerë luftimet dhe kishte kërkuar dorëzimin pa gjak të Jerusalemit. Të krishterët që nuk prisnin mëshirë, meqë vetë ishin treguar barbarisht të pamëshirshëm, me rastin e pushtimit dhe masakrimit të të gjithë myslimanëve dhe hebraikëve, fillimisht nuk pranuan negociata për dorëzim.
Ai iu dha fjalën e nderit dhe besimin e tij se nuk do të vriste asnjë të krishterë, por ata duhej të largoheshin deri në bregdetin e Mesdheut dhe kurrë më të mos ktheheshin në Palestinë. Të krishterët ishin dorëzuar dhe nuk ishte dëmtuar askush nga dhjetëra mijëra prej tyre. Tregohet se një grua e krishterë nga rrëmuja kishte humbur të birin dhe ushtarët e Ejubiut ishin angazhuar me orë të tëra, derisa e kishin gjetur fëmijën. Ata e kishin ndihmuar gruan të bashkohej me të krishterët, që po largoheshin drejt Evropës.
Komandantët dhe luftëtarët e kryqëzatave, nuk e kishin mbajtur fjalën. Ata ishin kthyer me anijet e tyre në Evropë, por nuk e kishin mbajtur premtimin. Ishin nisur sërish me dhjetëra mijëra ushtarë dhe sërish kishin vrarë, therë e masakruar popullatën arabe, islame dhe hebraike.

Kryqëzata të tjera, më të shfrenuar do të ndodhin shumë kohë më vonë

Si shkas dhe hakmarrje kundër mizorive që kishin ushtruar të krishterët në Palestinë dhe në vendet e lindjes së Mesme, turqit islamë, sapo pushtuan Konstandinopojën në vitin 1453 u vërsulën drejt Evropës për t’i pushtuar vendet e krishtera dhe për të përhapur islamin. Shpata e sulltanëve nuk arriti dot të marrë hak në Itali, Gjermani, Francë, Poloni, Spanjë e Angli, por për 500 vjet sundoi mbi popujt e Ballkanit dhe në disa vende të Evropës qendrore.
Në vitin 1912, shtetet aleate të Evropës dhe Rusia Cariste kishte rifilluar kryqëzatat, kundër Perandorisë Osmane, e cila ishte dobësuar dhe nuk përballonte dot të mbante nën kontroll vendet e pushtuara të Ballkanit.
Prej vitit 1912 deri në vitin 1922, forcat angleze, franceze, bullgare, serbe e greke kishin pushtuar jo vetëm ish viset e Perandorisë në Ballkan por edhe pjesën më të madhe të Turqisë. Nën luftën e shenjtë pansllaviste të Rusisë cariste e cila nxiti dhe ndihmoi popujt sllavë, gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1915 u vranë më shumë se 400.000 shqiptarë, turq dhe hebrenj, ndërsa u dëbuan për në Turqi më shumë se një milionë njerëz. Tokat shqiptare, kryqëzatorët e rinj të Evropës dhe carët e Kremlinit ua dhanë serbëve, bullgarëve dhe grekëve, meqë ata nuk e kishin pranuar islamin, ndërsa i ndëshkoi shqiptarët duke i vrarë e masakruar dhe duke ua marrë dy të tretat e territoreve, vetëm sepse në rrethana të caktuara të mbijetesës historike me hir apo pa hir kishin pranuar islamin si fe, por jo edhe sundimin turk, të cilin e kishin luftuar gjatë tërë asaj kohe. Dhe, sundimin turk e kishin luftuat pikërisht shqiptarët, që kishin pranuar islamin, duke filluar nga Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena e deri të Avdyl Frashëri Haxhi Ymer Prizreni e Ismail Qemali e të tjerë, në mesin e tyre edhe ndonjë shqiptar i krishterë.

Kryekryqëzatori i shekullit XX

Në vitin 1941, Evropa e kontradiktave dhe vendi i kryqëzatave të tmerrshme, dhe jo vetëm ajo, ishte përballur me përbindëshin, aninjeriun, antikrishtin e paralajmëruar për mrekulli nga Nostradamusi i madh, 500 vjet më parë. Adolf Hitleri kishte sulmuar dhe pushtuar një nga një vendet e krishtera të Evropës. Ai kishte sulmuar edhe bashkimin Sovjetik, edhe pse për dy vjet kishte respektuar traktatin për mossulmim. Lufta e Dytë Botërore, nuk u bë për çlirimin e varrit të Krishtit, as për lulëzimin e krishterimit, por erdhi si rezultat i një hakmarrjeje qiellore për të gjitha krimet që kishin kryer shtetet e Evropës dhe Rusia e Stalinit sidomos kundër popujve të robëruar.
Myslimanët e shteteve arabe dhe islame, qëndruan larg kësaj lufte, meqë nuk ishte lufta e tyre. Lufta e Dytë Botërore i kushtoi njerëzimit 50 milionë viktima, qindra miliona të plagosur dhe dëme materiale të pallogaritshme.

Rikthimi i “kryqëzatave” dhe pasojat e paparashikueshme

Këta kapituj të tmerrshëm i historisë na sjellin në kujtesë sa e sa kryqëzata të tjera, që kanë ndërmarrë pushtues të ndryshëm gjatë shekujve. Mjerisht, porosia zezonë e kryqëzatave është rikthyer edhe në botën e sotme, në dy polet e saj ekstreme. Lufta në Irak, në Afganistan, në Pakistan, në Palestinë na riktheu në kujtesë kohën e “Kryqëzatave”, por në një botë shumë më të përparuar dhe me teknikë ushtarake të përsosur. Preteksti për të sulmuar Afganistanin e më pas Irakun, nuk u bë për ta “çliruar” Varrin e Krishtit, por për shkaqe të tjera dhe jo vetëm ekonomike.
Sulmi brutal dhe antinjerëzor kundër myslimanëve, lindi kultin e qëndresës fanatike të tipit të Al-Qaidës, e cila në shtator të vitit 2001 sulmoi vendin e pa sulmuar ndonjëherë, forcën më të madhe të botës, Amerikën, duke i shkaktuar jo vetëm humbje në njerëz por edhe dëm të pariparueshëm në imazhin e saj demokratik dhe përparimtar.
Mizoritë e ushtruara kundër myslimanëve në burgjet e Abu Graibit dhe në Guantanamo, nxjerrin në sipërfaqe damka të zeza të qytetërimit bashkëkohor perëndimor, damka të cilat kemi menduar se i përkasin të kaluarës së kohës së holokaustit, jo për nga përmasa, por gjithsesi për nga metodat çnjerëzore, të ushtruara kundër njeriut, i cili i takon një race dhe një besimi tjetër, fjala e parë e të cilit është All-llah, që nuk do thotë asgjë tjetër, veçse, Zot, përkthyer në të gjitha gjuhët e botës.
Përpjekjet e Mubarak Obamës për të vendosur ura komunikimi mes të krishterëve dhe myslimanëve, mund të rezultojnë si përpjekje të kota, meqë një pjesë e botës krishtere, kryeneçe, kurrë nuk do të pranojë t’i trajtojë myslimanët ashtu sikur ata e meritojnë, por në fytyrat e tyre ajo paragjykon dhe sheh Bin Ladena hakmarrës, muxhahedinë të shpifur dhe vetëvrasës të vërtetë, të cilëve lufta dhe robëria u ka prekur ashtin dhe në kundërsulmet e tyre ata nuk zgjedhim mjet as metodë, por nuk është shënuar qoftë edhe një rast i vetëm kur myslimanët kanë torturuar ushtarë të zënë robër, apo gazetarë, të cilët në shumicë i kanë liruar. Edhe nëse i kanë torturuar e vrarë ushtarët e forcave aleate, nuk janë shënuar barbari çnjerëzore e përbuzëse, të tilla sikur kemi parë në Abu Graib. Bota përparimtare demokratike duhet më mësojë më shumë nga leksionet e historisë, të së kaluarës dhe të tanishmes. Njeriun duhet trajtuar, njeri, jo vetëm duke i mbajtur leksione për të drejtat e liritë e njeriut, as me ndarjen e qytetërimeve mbi baza të paragjykuara si superiore dhe inferiore, por me qasje humane ndaj tij, ndaj njeriut, i cilës do racë, besim, moshë e ngjyrë qoftë ai.

Liretatura e shfrytëzuar dhe e konsultuar:

Enciklopedia e religjioneve të gjalla.
Mozaiku i diturisë-Historia.
Civilizimi islam: Një histori e shkurtër rreth kryqëzatave.
Umberto Ecco: Emri i trëndafilit.
Dan Braun “Kodi i Da Vinçit”
Albavizion: A nuk është kisha katolike përgjegjëse për inkuizicionin, kryqëzatat, dhe pengimin e përparimit të shkencës?
MIsha Gleni “Histori e Ballkanit”
Leon Trocki “Raporte dhe komente nga Luftërat Ballkanike”
Mesohu org. Normanet dhe kryqezatat ne Shqiperi.
Albislam: Lidhjet muslimano krishtere në Europë: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Tirana City com. Feja shkas për konflikte.
Abedin Rakipi: Kush përfiton nga diabolizimi i islamit.
Kolec Traboini: Mëkati dhe ligështimi i zotave.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: